TIRANË, 9 mars /ATSH/ – Një grup studentësh të Fakultetit të Drejtësisë u pritën sot nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj për të disktuar mbi mundësinë e punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
”Pata kënaqësinë të prisja sot një grup studentësh të Fakultetit të Drejtësisë. I ftova të rinjtë të shfrytëzojnë mundësinë e artë që kanë përpara. Reforma në Drejtësi po largon nga sistemi dhjetëra gjyqtarë e prokurorë dhe lind nevoja që studentët e rinj, nëpërmjet meritës, të bëhen gjyqtarë e prokurorë të denjë për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë drejtësinë e munguar prej dekadash”, u shpreh ministrja Gjonaj për këtë takim.
”Ju bëra me dije studentëve se do t’u ofrojmë mundësi reale punësimi dhe praktika duke i integruar drejt punësimit në administratën publike. Qasja jonë do të jetë gjithmonë e hapur ndaj studentëve. Këtë e treguam më së miri me “Paktin për Universitetin” ku plotësuam dhe tejkaluam kërkesat e tyre. Gjatë ditëve në vijim do të zhvilloj takime me pedagogë dhe studentë, lidhur me patronazhimin tim si ministre e Drejtësisë ndaj Fakultetit të Drejtësisë”, theksoi ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj. /a.a/j.p/























