Rehabilitohet qendra shëndetësore në Patos, shërbime cilësore për 45 mijë banorë

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/392676691558793/

TIRANË, 9 mars/ATSH/ Një tjetër qendër shëndetësore është rehabilituar në Patos nga programi “Shëndet për të gjithë”, në bashkëpunim me qeverinë zvicerane.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogeta Manastirliu, panë nga afër këtë qendër ku marrin shërbim tashmë me standarde të larta 45 000 banorë të Patosit.

“Është rehabilituar në kuadër të projektit tonë “Shëndet për të gjithë”, me qeverinë zvicerane. Është një shembull i suksesit mes përmirësimit të infrastrukturës dhe burimeve njerëzore, të cilat janë trajnuar në vazhdimësi. Edhe në Qarkun e Dibrës, edhe në Qarkun e Fierit ku është mbështetur nga projekti“Shëndet për të gjithë” dhe qeverisë zvicerane, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, janë pajisur të gjithë mjekët dhe infermierët me çantat e tyre personale në mënyrë që shërbimi të kryhet, jo vetëm në qendër, por edhe në shtëpi”, u shpreh ministrja Manastirliu.

“Çanta e mjekut na ka ardhur në ndihmë. Më përpara kemi pasur vetëm një aparat tensioni. Tani na jepet shumë mundësi që të japim përveç ndihmës së parë edhe ndjekjen në vazhdimësi të pacientit”, tha një nga mjekët që ushtron profesionin e saj në qendrën shëndetësore të Patosit.

Pacientë të cilët marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore në këtë qendër shprehen se, ndryshimi është i pakrahasueshëm.

Shërbim në këtë qendër shëndetësore marrin edhe nxënësit e shkollave, për të cilët ofrohet shërbimi i stomatologjisë falas.

Kjo qendër, e cila ofron një gamë shërbimesh të specializuara, është modeli që do të ndiqet për vijimin e punës me rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore deri në vitin 2021, me të njëjtat standarde, si për fshatin edhe për qytetin për të kompletuar kështu shërbimin parësor bazë në të gjithë vendin./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.