TIRANË, 28 shkurt /ATSH- A. ALLA/ – “Ne vlerësojmë që reforma gjyqësore ka bërë progres por gjëja kryesore është zbatimi. Nuk mund të realizohen të gjitha reformat në të njëjtën kohë. Gjithsesi fillimet për reformat janë bërë dhe Shqipëria është në rrugën e drejtë”, u shpreh shefi i delegacionit të Parlamentit Europian në Tiranë, Tunne Kelam i pyetur nga gazetarët mbi Reformën në Drejtësi dhe mungesën e Gjykatës Kushtetuese.
Gjithashtu mbi këtë çështje u shpreh dhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca, ku theksoi se “reforma në Drejtësi është në rrugën e duhur. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor janë krijuar tashmë dhe kanë marrë dhe strukturën dy ditë më parë nga parlamenti, ndërkohë që thirrja për aplikimet për SPAKU-në ka qenë e suksesshme me 27 aplikime për 15 vende vakante”.
”Këshilli për emërimet në Drejtësi duhet mbështetur, në mënyrë që të mund të fillojë përzgjedhjen për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Mendoj që Reforma në Drejtësi po progreson, sigurisht që kjo duhet të bëhet me një rrugë me ritme të shpejta, por gjithsesi objektivat janë në drejtimin e duhur”, përfundoi Soreca. /a.g/























