TIRANË, 23 shkurt /ATSH/ – Nxënës shkollash dhe qytetarë janë bashkuar nismës ”Krijo oksigjenin tënd” e iniciuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për të shndërruar Shqipërinë në një vend turisitik të gjelbëruar dhe ambientalist.
Kjo nismë nuk po përqendrohet vetëm në Tiranë, po në çdo vend turistik që ka Shqipëria duke shtuar hapësira të gjelbra, për të garantuar një mjedis të pastër dhe me sa më shumë oksigjen edhe për brezat e rinj.
Së fundmi, kjo nismë është ndalur në Parkun Kombëtar Divajkë-Karavasta ku nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa” të kryeqytetit lanë gjurmët e tyre duke shtuar hapësira të gjelbra.
“‘Qemal Stafa’, gjimnazi më i vjetër në Tiranë e krijoi parcelën më të re në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Nxënës e mësues mbollën 150 fidanë pishe të butë duke u bërë pjesë e fushatës”, u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.
Pas aksionit nxënësit shijuan bukuritë natyrore dhe turistike të këtij parku duke bërë një vizitë në qendrën e vizitorëve dhe një vrojtim në ishullin e pelikanëve. /a.a/























