Ballina Lajme nga Vendi

Patronazhimi, Manastirliu: 30 mijë qytetarëve iu ofrua shërbim pranë vendbanimit

TIRANË, 22 shkurt/ATSH/ – Rreth 30 mijë qytetarë, nga 2018, deri tani kanë shmangur kilometra të gjata për të marrë shërbim të specializuar spitalor, pasi falë programit të Patronazhimit u është mundësuar marrja e tyre afër vendbanimit, me mjekët e Tiranës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastiu e ftuar në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare tha se ky program ka rezultuar i suksesshëm edhe pse nisi si nevojë për plotësimin e mungesës së mjekëve specialistë në spitalet rajonale si pasojë e bllokimit të specializimeve.

Ajo tha se mjekët dhe infermierët po mbështeten edhe me bonuset që kapin shifrat e 2.5 milionë lekë plus pagën.

“Dua të bëj një parantezë për fenomenin e largimit të mjekëve. Në fakt nuk është një fenomen që ka prekur vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e Rajonit. Po lexoja së fundmi një artikull në “Corriere” ku 10 mijë mjekë italianë janë larguar nga Italia dhe ofrojnë shërbim jashtë vendit. Sigurisht që ka edhe mjekë shqiptarë që ofrojnë shërbimin e tyre jashtë vendit dhe rikthehen pas periudhës së specializimit, mbas eksperiencave të tyre jashtë vendit, gjë që është shumë e mirë për Shqipërinë. A ka mjekë për Shqipërinë? Si do të jetë trendi në vite? Pavarësisht bllokimit absurd për 4 vite të specializimeve ku ne u hasëm me këtë problem, pra patëm problematikë me mjekë specialistë në spitalet tona të rretheve kryesisht, ne vendosëm që çdo vit dhe kemi 4 vjet që hapim çdo vit specializime, në mënyrë që të plotësojmë këtë problematikë që patëm me mjekët specialistë. Këtë vit përfundon cikli i parë i specializimeve, ku janë rreth 300 mjekë specialistë që do të alokohen në të gjitha spitalet e vendit, duke përfshirë këtu edhe 150 mjekë të cilët janë me kontrata me spitalet e rretheve dhe do të rikthehen në rrethe për të ofruar shërbimin e tyre. Ne do të plotësojmë në një optimum të mundshëm, shërbimin specialistik në spitalet rajonale, por gjithashtu do të ofrojmë edhe programet alternative të cilat tashmë i kemi ofruar prej një viti e gjysmë programi i Patronazhimit dhe Bonusit për mjekët. Të gjithë ata mjekë që përfundojnë specializimet, por edhe mjekë të tjerë që duan të ofrojnë shërbim jashtë Tiranës, nëpërmjet Bonusit 2.5 milionë lekë plus pagën, mund të ofrojnë shërbimin e tyre në spitalet rajonale, aty ku ka nevojë shëndetësia. Nëpërmjet kësaj incentive ne garantojmë që paga e mjekut të jetë aq sa paga fillestare kur shkon dhe ofron shërbim shëndetësor në vendet fqinjë. Është një mënyrë që ka gjetur qeveria dhe po mbështet financiarisht mjekët e rinj, gjithashtu edhe mjekët për të ofruar shërbim shëndetësor të mirëpaguar nëpërmjet sistemit të bonusit”, – tha Manastirliu.

Sipas saj, edhe patronazhi na ka mundësuar që në këto problematika që kemi pasur në ofrimin e shërbimit shëndetësor të mundemi që të çojmë mjekë mbi baza ditore dhe periodikisht për specialitete të ndryshme. “Janë mbi 30 mijë qytetarë që gjatë 2018 dhe deri tani kanë përfituar shërbim afër vendbanimit, në sajë të këtij programi”, – tha Manastirliu.

Në studion e ATSH-së, ministrja theksoi në lidhje me punësimin e mjekëve se “janë rreth 103 mjekë që kanë aplikuar në konkursin e shpallur nga Ministria e Shëndetësisë gjatë muajit janar, nga të cilët 54 prej tyre janë punësuar në të gjitha qendrat shëndetësore në të gjithë vendin, madje në zona të thella në vend”.

Në lidhje me rritjen e pagave për bluzat e bardha, Manastirliu tha se rritja e pagave do të vijojë.

“Rritja e pagave ka treguar se ka një mbështetje konkrete të qeverisë për personelin mjekësor, por edhe programet alternative. Rreth 18 mijë mjekë dhe infermierë do të përfitojnë nga rritja e pagave. Do të jetë një rritje pagash në 7% për personelin mjekësor dhe infermierët. Në 2017 pati rritje page prej 10%. Rritja e pagave është një prej synimeve që ne kemi për të mbështetur personelin mjekësor, por duhet thënë që jo vetëm rritja e pagave, por edhe kushtet e punës kanë të bëjnë me rritjen e sigurisë në punë”, – theksoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEfektivët e Forcës Detare ngrenë flamurin kombëtar dhe atë të NATO-s në kalanë e Skënderbeut
Artikulli tjetërQytetarët votojnë online për buxhetet e bashkive