TIRANË, 24 janar/ATSH/ – Pas publikimit në medie të rastit të katër fëmijëve jetimë në bashkinë Maliq, Shërbimi Social Shtetëror mori masa të menjëhershme për zgjidhjen e situatës.
Më konkretisht, Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror Korçë, në bashkëpunim me bashkinë Maliq dhe Fondacionin “Kenedy” vizituan ditën e sotme fëmijët në shtëpinë e tyre dhe morën disa masa të menjëhershme për përmirësimin e situatës në të cilën ata ndodheshin. Krahas pakove ushqimore për fëmijët, u përgatit dokumentacioni për marrjen e Statusit të Jetimit. Ndërkohë që deri në marrjen e një vendimi nga gjykata lidhur me kujdestarinë e tyre, fëmijët do të qëndrojnë pranë motrës së madhe, e cila është e martuar.
Sot, më i vogli i familjes kishte ditëlindjen dhe Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Korçë realizoi një festë surprizë për të në bashkëpunim më nxënësit e tjerë të klasës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka bërë të ditur se katër fëmijët jetimë po marrin mbështetje maksimale nga strukturat e shërbimit social në territor. /a.g/























