Agjencia Telegrafike Shqiptare

4 fëmijët jetimë, Shërbimi Social Shtetëror merr masa të menjëhershme


TIRANË, 24 janar/ATSH/ – Pas publikimit në medie të rastit të katër fëmijëve jetimë në bashkinë Maliq, Shërbimi Social Shtetëror mori masa të menjëhershme për zgjidhjen e situatës.

Më konkretisht, Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror Korçë, në bashkëpunim me bashkinë Maliq dhe Fondacionin “Kenedy” vizituan ditën e sotme fëmijët në shtëpinë e tyre dhe morën disa masa të menjëhershme për përmirësimin e situatës në të cilën ata ndodheshin. Krahas pakove ushqimore për fëmijët, u përgatit dokumentacioni për marrjen e Statusit të Jetimit. Ndërkohë që deri në marrjen e një vendimi nga gjykata lidhur me kujdestarinë e tyre, fëmijët do të qëndrojnë pranë motrës së madhe, e cila është e martuar.

Sot, më i vogli i familjes kishte ditëlindjen dhe Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Korçë realizoi një festë surprizë për të në bashkëpunim më nxënësit e tjerë të klasës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka bërë të ditur se katër fëmijët jetimë po marrin mbështetje maksimale nga strukturat e shërbimit social në territor.  /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version