Ballina Flash

FOTO/ “Arkeologu i vogël”, fëmijët njihen me profesionin

TIRANË, 24 janar /ATSH/ – Procedura fillestare se si duhet gërmuar për të gjetur objekte arkeologjike vazhdon të mësohet në Muzeun Historik Kombëtar.

Sidomos një praktikë e tillë ka vlerë të madhe për fëmijët, të cilët do të jenë dhe arkeologët e së ardhmes.

Këtë herë një grup nxënësish të shkollës ”Avni Rustemi” vizituan Muzeun Historik Kombëtar fillimisht për t’u njohur me Pavijonin e Lashtësisë dhe me objektet e zbuluara në vite prej ekspeditave arkeologjike.

Më pas nxënësit u drejtuan për në atrium, ku zhvilluan pjesën tjetër të aktivitetit, që kishte të bënte me imitimin e gërmimeve dhe gjetjen e objekteve antike. Pas gërmimeve fëmijët vizatuan objektet të cilat i kishin gjetur vetë.

Qëllimi i këtij aktiviteti është, që fëmijë të moshave të ndryshme të vijnë në muze dhe të njihen më nga afër me historinë e vendit tonë. Konkretisht, projekti në fjalë i njeh nxënësit me procesin e gërmimeve që bëjnë arkeologët gjatë ekspeditave të tyre në terren.

“Arkeologu i vogël” është një projekt i cili ka si qëllim të bëjë pjesë të gërmimeve arkeologjike fëmijët nga mosha 7-11 vjeç dhe përdorimi i mjeteve arkeologjike dhe teknikave të gërmimit u jep mundësinë nxënësve të jenë arkeologë për një ditë dhe të bëjnë zbulimet e tyre për epokat kryesore historike në Shqipëri.

Projekti “Arkeologu i vogël” synon që të afrojë në ambientet e muzeut fëmijët e të gjithë vendit. 

/a.a/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHiguain: Kam ëndërruar të luaja në Premier Ligë
Artikulli tjetër4 fëmijët jetimë, Shërbimi Social Shtetëror merr masa të menjëhershme