TIRANË, 3 janar/ATSH/ – Në buxhetin vendor për vitin 2019 do të ketë rritje të fondeve për pagat e edukatoreve të arsimit parashkollor me 9,1% krahasuar me vitin 2018.
Në këtë buxhet pritet edhe rritje e numrit të edukatoreve me 10% ose 438 punonjës, të cilat shkojnë në bashkitë që kanë nevoja më emergjente për edukatore e matur sipas treguesit “fëmijë për edukatore”.
Buxheti 2019 do të konsistojë edhe në përmirësimin e standardit të cilësisë së arsimit parashkollor.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet madhësisë mesatare të grupeve të nxënësve të arsimin parashkollor.
Parashikohet që grupet nga 18 nxënës të bëhen në 15 nxënës për edukatore dhe rastet e madhësisë maksimale ulen nga 25 apo 26 në 18 nxënës për edukatore.
Po ashtu do të ketë harmonizim dhe unifikim të procedurave për hartimin, zbatimin, raportimin, monitorimin e buxheteve të njësive të vetëqeverisjes vendore, konform standardeve ndërkombëtare. /k.s/ /a.g/























