Agjencia Telegrafike Shqiptare

Buxheti vendor 2019, rriten me 9,1% pagat e edukatoreve

TIRANË, 3 janar/ATSH/ – Në buxhetin vendor për vitin 2019 do të ketë rritje të fondeve për pagat e edukatoreve të arsimit parashkollor me 9,1% krahasuar me vitin 2018.

Në këtë buxhet pritet edhe rritje e numrit të edukatoreve me 10% ose 438 punonjës, të cilat shkojnë në bashkitë që kanë nevoja më emergjente për edukatore e matur sipas treguesit “fëmijë për edukatore”.

Buxheti 2019 do të konsistojë edhe në përmirësimin e standardit të cilësisë së arsimit parashkollor.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet madhësisë mesatare të grupeve të nxënësve të arsimin parashkollor.

Parashikohet që grupet nga 18 nxënës të bëhen në 15 nxënës për edukatore dhe rastet e madhësisë maksimale ulen nga 25 apo 26 në 18 nxënës për edukatore.

Po ashtu do të ketë harmonizim dhe unifikim të procedurave për hartimin, zbatimin, raportimin, monitorimin e buxheteve të njësive të vetëqeverisjes vendore, konform standardeve ndërkombëtare. /k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version