FOTO/ Pukë, bashkia masa për pastrimin e rrugëve nga bora

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/- Bashkia e Pukës i bën apel drejtuesve të mjeteve që të evitojnë parkimin e automjeteve në të dy anët e rrugës kryesore të qytetit, pasi krijon vështirësi në pastrimin e rrugëve nga bora.

“Parkimi i automjeteve e bënë të pamundur pastrimin e rrugës, çfarë bëhet shkak për vështirësi në qarkullim si pasojë e reshjeve të borës. Po ashtu i bëjmë apel subjekteve tregtare që në momentin që pastrojnë hyrjet e dyqaneve, apo lokaleve të tyre të mos hedhin borën në rrugën kryesore”, thekson bashkia.

Sipas bashkisë, janë marrë të gjitha masat që reshjet e borës që po bien të mos krijojnë vështirësi për qytetarët.

“Një automjet po bën kriposjen e rrugëve të qytetit dhe akseve Qafë-Qerreti-Qelëz dhe Qafë-Qerreti-Qerret, ndërsa dy automjete borëpastruese janë në gatishmëri për mbajtjen të qarkullueshme të rrugëve në inventarin e bashkisë Pukës”, bën të ditur bashkia.

Po ashtu, vijon bashkia, kemi marrë siguri nga kontraktorët e ARRSH-së edhe akset nacionale që lidhin Pukën me zonat e tjera do të jenë të qarkullueshme pa vështirësi.

Territori i bashkisë Pukë është përfshirë nga reshjet e borës, të cilat pritet të jenë të pranishme edhe gjatë 24 orëve në vijim. /k.s/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.