Ballina Lajme nga Vendi

Strategjia Kombëtare për Migracioni, konsultim me vendet e BE-së

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH-A. Fortuzi/- Ministria e Punëve të Brendshme është duke zhvilluar një sërë takimesh konsultative për të hartuar Strategjinë Kombëtare për Qeverisjen e Migracionit dhe Planin e tij të Veprimit 2019-2022.

Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda në këtë kuadër ka zhvilluar të enjten një takim konsultativ me përfaqësues trupës diplomatike të Bashkimit Europian dhe jo vetëm në vendin tonë.

“Sot zhvilluam takim konsultativ për Strategjinë Kombëtare për Qeverisjen e Migracionit dhe Planin e tij të Veprimit 2019-2022 me përfaqësues të përfaqësive diplomatike të vendeve të BE-së, Delegacionit të BE-së dhe Ambasadës Britanike”, njofton zv/ministrja Voda.

“Takimi u zhvillua në frymën e një diskutimi konkret mbi objektivat dhe masat e parashikuara në strategji dhe në dhënien e komenteve dhe sugjerimeve të vlefshme, të cilat do të ndihmojnë në përmirësimin e draftit final të kësaj strategjie. Një falënderim të përzemërt për të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim”, tha Voda.

Në këtë kuadër të premten e 7-dhjetorit, Ministria e Brendshme organizoi një takim tjetër konsultativ me përfaqësues të shoqërisë civile.

Gjatë takimit zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda, ka theksuar se strategjia e re do të kontribuojë në zbatimin e Paktit Global për Migracionin (GCM) dhe veçanërisht arritjen e Targetit 10.7 të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, që synon të lehtësojë migrimin e rregullt, të sigurt dhe të përgjegjshëm, duke përfshirë zbatimin e politikave të planifikuara dhe të mirëmenaxhuara të migracionit.

“Strategjia dhe plani i veprimit organizohen rreth 4 objektivave strategjike: garantimi i qeverisjes strategjike të migracionit në Shqipëri; garantimi i migracionit të rregullt nga, përmes dhe drejt Shqipërisë; zhvillimi i politikave të efektshme për migracionin për motive punësimi duke rritur ndikimin pozitiv të migracionit në zhvillimin socio-ekonomik kombëtar dhe lokal; si dhe Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të migrantëve dhe integrimi i tyre”, është shprehur Voda. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMbi 6000 vende pune të reja përmes projektit zviceran
Artikulli tjetërRama: Presidenti ktheu buxhetin pas prezantimit të kërkesave të LSI-së