TIRANE, 1 dhjetor/ATSH/- Në një deklaratë të përbashkët për mediat, Prokuroria dhe Policia e Vlorës deklaruan sot se “në 3 vitet e fundit rezulton se numri total i personave të larguar nga banesa është 23”.
Nisur nga të dhënat e publikuara në një reportazh televiziv, ku flitet për rreth 80 persona të zhdukur në vitet e fundit, një numër i cituar edhe nga foltorja e PD-së ditën e djeshme, Prokuroria dhe Policia e Vlorës sqarojnë se në 3 vitet e fundit rezulton se numri total i personave të larguar nga banesa është 23. Në 2016 – 4 shtetas të larguar; në 2017 – 6 shtetas të larguar dhe në 2018 – 13 shtetas të larguar.
Sipas policisë, shumë prej këtyre personave janë larguar me dëshirë nga banesa, por dhe janë rikthyer.
“Megjithëse të gjitha rastet janë referuar në Prokurori, vetëm për 4 raste në 3 vitet e fundit janë konstatuar elementë të veprës penale dhe janë regjistruar në Prokurori si çështje, e ndërkohë po vijojnë hetimet për gjetjen e tyre”, deklarojnë policia dhe prokuroria e Vlorës.
Gjithashtu, përsa i përket veprave penale kundër personit,policia bën të ditur se në krahasim me 1 vit më parë ka ulje të ndjeshme, konkretisht, nga 12 vrasje të evidentuara në vitin 2017, numri i tyre ka rënë me 50%, ose në 6 vrasje në 2018. Nga 10 vrasje të mbetura në tentativë në 2017, është ulur me 50% numri në 2018, pra janë 5 tentativa të evidentuara.
Të gjitha strukturat e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e agjenci të tjera ligj zbatuese, vijojnë punën intensive për goditjen e paligjshmërive me qëllim ruajtjen e parametrave të rendit dhe të sigurisë e në shërbim të qytetarëve. /a.g/























