Ballina Kosova

Unaza e Madhe/ Inxhinierët e ARRSH-së, pengohen me dhunë nga banorët teksa kryenin shpronësimet në terren

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ – Banorë të Unazës së Madhe të Tiranës, pengojnë inxhinierët e ARRSH-së, që po kryejnë procedurat e shpronësimeve në terren, për ata banorë të cilët kanë filluar procedurat e shpronësimeve pranë institucioneve shtetërore.

Grupet e punës së ARRSH-së, Bashkisë së Tiranës dhe ALUIZN-it, të cilët shkuan mëngjesin e të hënës tek Unaza e Madhe e Tiranës, për të kryer procedurat e shpronësimeve të objekteve që do të preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe, janë penguar me dhunë nga banorë të tjerë të zonës.

ARRSH, njofton se këta banorë kanë dhunuar edhe mjediset private të banorëve me dokumentacion pronësie të cilët kanë qenë të pranishëm dhe të gatshëm për verifikimin e banesës në funksion të shpronësimit.

ARRSH, sqaron se ky grup banorësh lëviz në segmente të ndryshme të unazës duke penguar inxhinierët në kryerjen e detyrës, pavarësisht se nuk kanë lidhje me objektet të cilat po verifikon ARRSH.

Sipas ARRSH-së, këta individë po mohojnë të drejtën e pronarëve të ligjshëm për një proces verifikimi të banesave të tyre.

Për arsyet e lartpërmendura, inxhinierët e ARRSH-së po vazhdojnë procesin e verifikimit në terren të shoqëruar edhe nga punonjësit e Policisë së Shtetit. /o.l/a.g/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSIRI – Mbi 200 të vdekur pas një sulmi të ISIS-it
Artikulli tjetër9 marrëveshje bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë