TIRANË, 26 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Marrëveshjen e nënshkruara sot me Kosovën, sipas Kryeministrit Edi Rama, do t’i japin një impuls jo të neglizhueshëm shkëmbimeve tregtare, por do të jenë edhe një mesazh domethënës për të gjithë partnerët, për Serbinë në radhë të parë.
“Unë e kam thënë dhe i qëndroj edhe sot. Marrëdhënia jonë me Serbinë është strategjike për afat të gjatë, por, nëse Serbia e shikon këtë si shprehje të një nevoje të njëanshme, gabon”, – u shpreh Kryeministri në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Shqipëri-Kosovë, të zhvilluar në Pejë.
Sipas tij, “kjo është një nevojë e dyanshme dhe për këtë nevojë të dyanshme, Serbia duhet të jetë e gatshme të ulet në tavolinë me një fytyrë, jo me dy fytyra”. “Madje me tre në fakt, një fytyrë për Kosovën, një për Shqipërinë dhe një tjetër për komunitetin ndërkombëtar. Të zgjedhë cilën fytyrë do të përdori në marrëdhënie me shqiptarët dhe ne jemi të gatshëm t’i rrimë përballë me të njëjtën fytyrë që do të zgjedhë Serbia”, – shtoi Rama. /a.g/























