Ballina Ekonomi

Investimet në Gjirokastër, Beci: Standard i ri në punime dhe mentalitetin investues

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/– Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci priti përfaqësues të shoqatës “Gjirokastra”, të cilët u njohën me paketën e investimeve që po ndërmerren në këtë bashki në kuadër të programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik”, që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore.

Drejtori Ekzekutiv, Benet Beci tha se takimi me përfaqësues dhe specialistë të nderuar të Gjirokastrës ishte një moment i veçantë për Fondin Shqiptar te Zhvillimit. Sipas Becit, takimi ishte i veçantë  ashtu si vetë ndërhyrja rivitalizuese qe po kryhet në këtë qytet, një nga pasuritë arkitektonike e kulturore të njerëzimit.

“Janë 15 milionë Euro që do të investohen në të gjithë qarkun e Gjirokastrës. Në qytet do të investohet për rekuperimin e krejt rrjetit inxhinierik në qendrën historike, për përforcimin e qëndrueshmërisë tektonike dhe restaurimin e godinave muzeale,” tha Beci.

Në emër të FSHZ, Drejtori Ekzekutiv falenderoi personalitetet për preokupimin qytetar, sugjerimet, përvojën e ofruar dhe rekomandimet me vlerë. Në emër të stafit, z. Beci i siguroi të pranishmit se kjo ndërhyrje inxhinierike në një nga sitet më të vlerësuar turistik, padyshim do jetë një standard i ri në punimet dhe mentalitetin investues.

“Ky investim do t’i shërbejë rritjes së fluksit turistik dhe zhvillimit  ekonomik e turistik të qytetit, rajonit e më gjerë,” theksoi ai.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shoqatës dhe specialistët shprehën vlerësimin maksimal për investimet në Gjirokastër. Investime që për ta ishin të shumëpritura.

“Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik” që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit financohet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës Botërore. Paketat e investimeve në infrastrukturë dhe produkte turistike në zonën që përfshin bashkitë Gjirokastër, Përmet, Berat dhe Sarandë kapin shifrën e 63 milionë eurove.

Në Gjirokastër investimet fokusohen në restaurimin e kalldrëmeve, ndriçimin e Qafës së Pazarit dhe rehabilitimin e hapësirave urbane, përmirësimin i aksesit në kala, rivitalizim i rrugëve ndërlidhëse për të lehtësuar mobilitetin e qytetarëve dhe turistëve dhe sistemin e ri të muzeve sipas një koncepti të ri dhe bashkëkohor.

Si portë kryesore kufitare me Greqinë në Gjirokastër, kryqëzohen akse korridoresh kombëtarë të rëndësishëm, ç’ka e bën atë një pol të rëndësishëm ekonomik dhe turistik jugut. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakJo më tendera për uniformat e policisë, ndiqet modeli i BE-së
Artikulli tjetërLONDËR – May në Bruksel për të biseduar për çështjen e Gjibraltarit