LONDËR, 24 nëntor /ATSH-DPA/ – Kryeministrja britanike, Theresa May do të udhëtojë sot për në Bruksel për bisedime të minutës së fundit me presidentin e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker dhe presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, në kuadër të samitit me liderët e BE-së për të përmbyllur marrëveshjen e Brexit.
Megjithatë mbeten disa pengesa për këtë marrëveshje nën të cilën Britania e Madhe do të largohet nga BE-ja pas 40 vitesh, përfshirë çështjen e Gjibraltarit, një territor britanik në jug të Spanjës, mbi të cilin Madridi pretendon sovranitetin.
Mai tha dje se “ka biseduar me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez dhe se ka besim në arritjen e një marrëveshje që shërben për të gjithë Britaninë e Madhe, përfshirë edhe Gjibraltarin”.
“Ne kemi punuar me qeverinë e Gjibraltarit dhe qeverinë e Spanjës për të vendosur disa masa që funksionojnë për Gjibraltarin”, tha ajo në një intervistë për Radio 5. /G.S/























