TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi me banorët e Maliqit, Korçë, bashkëbisedoi për alternativën e opozitës për ringritjen e bujqësisë, e cila mbështetet në 3 shtylla: subvencionet direkte, investimet në infrastrukturë dhe mbrojtjen e prodhimit vendas me tarifat doganore.
“Në rastin e bujqësisë nuk ka nevojë të shpikim rrotën. Politikat për të mbështetur bujqësinë funksionojnë njësoj, si në Europë, edhe te fqinjët tanë, Maqedonia dhe Kosova. Buxheti ynë për subvencionet vitin e parë do të jetë 150 milionë euro dhe do të vazhdojë duke u rritur sipas projeksionit tonë, siç do të vazhdojë të rritet edhe prodhimi i bujqësisë shqiptare“, – tha Basha.
Kreu i PD-së u shpreh se “pjesë e alternativës qeverisëse të opozitës është edhe rritja e pensioneve, paratë për të cilat do të gjenden tek dhënia fund e abuzimit me tenderat që, vetëm vitin e kaluar llogariten në rreth 500 milionë euro”.
“Ne do të nisim që prej ditës tonë të parë në pushtet, rritjen e pensioneve. Rritja e parë do të jetë në nivelin e 200 mijë lekëve dhe deri në fund të mandatit, pensioni minimal në Shqipëri do të jetë 250 mijë lekë të vjetra për pensionist”, – u shpreh Basha.
/k.s/ /a.g/























