TIRANË, 6 nëntor /ATSH/- Paketa e re fiskale sjell lehtësira të rëndësishme taksash për biznesin dhe qytetarët, duke filluar që nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, gjatë prezantimit sot të paketës fiskale për vitin e ardhshëm në Komisionin e Ekonomisë, theksoi se paketa përmban edhe dispozita antishmangie, në mënyrë që bizneset të paguajnë atë që u takon.
“Sipërmarrjet do të kenë mundësi që të shpërndajnë dividentin e akumuluar ndër vite duke paguar në 2019 tatimin në masën 8% nga 15% që është aktualisht”, – tha ministri.
Kjo është edhe risia e paketës fiskale 2019, për t’i dhënë shtysë kësaj kategorie, pasi aktualisht vetëm 11 për qind e bizneseve të mëdha shpërndan dividentin.
Ministri i Financave bëri një pasqyrë të përgjithshme të lehtësive që parashikohen për biznesin si ulja e tatimit mbi dividentin nga 15% në 8 %, si dhe rritja e kufiri të pagave që taksohen me 23%, nga 130 në 150 mijë lekë si dhe reduktim të burokracive. /e.xh//a.g/











