TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ – Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati prezantoi në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme, zërat e parashikuar në buxhetin e vitit 2019, për dikasterin që ai drejton.
Ministri tha se “këtë vit për herë të parë që nga viti 2006, qeveria ka vendosur të bëjë një rritje cilësore të pagave të diplomatëve dhe të gjithë njerëzve që punojnë në shërbimin e jashtëm, qofshin këta diplomatë, apo staf teknik, me të paktën 20%”.
Ministri Bushati sqaroi se kjo rritje do të realizohet nga muaji prill i vitit të ardhshëm. “Kjo rritje do të reflektohet nga muaji prill i vitit 2019”.
Për kryediplomatin Bushati, ky vendim do të rrisë cilësinë e punës. “Ky është një kontribut i mëtejshëm për ta stimuluar dhe stabilizuar shërbimin e jashtëm dhe për ta sjellë në ato parametra të një pune normale që e kanë edhe vendet e tjera të rajonit”, tha Bushati. /o.l/j.p/













