FOTO/Vithkuq, përfundon faza e parë e restaurimit në kishën e Shën Gjergjit

TIRANË,23 tetor /ATSH/ – Ka përfunduar faza e parë e restaurimit në kishën e Shën Gjergjit, Vithkuq, e rishpallur monument kulture në vitin 2015.

Në këtë fazë është restauruar konstruksioni i çatisë dhe është zëvendësuar shtresa fundore e çatisë nga mbulim me tjegulla në rrasa guri, duke e sjellë në tipologjinë e kishave post-bizantine. Kjo ndërhyrje bën të mundur shmangien e lagështirës në kishë dhe ruajtjen e pikturës murale në absidë.

Punimet janë realizuar nga ekipi i DRRK Korçë dhe parashikohet në fazën e dytë të restaurohet tavani i kishës dhe piktura murale.

Vithkuqi ka 24 kisha. Ai zë vend të veçantë në Shqipëri, jo vetëm për numrin e tyre, por për arkitekturën dhe zbukurimin.

Në Vithkuq, të vjetra dhe me famë janë edhe kisha e Kryeëngjëjve, Shën Mërisë, Shën Spiridonit, Shën Kozmait, Shën Gjergjit. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.