TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Pas ankesës së një qytetari në aplikacionin “Rruga dixhitale”, kompania e mirëmbajtjes shkoi në vendndodhje dhe e riparoi barrierën duke shmangur mundësinë për aksidente të tjera.
Ankesa u depozitua në këtë platformë ditën e djeshme, ku u raportua për një barrierë të prishur nga një aksident, ndërsa i menjëhershëm ishte reagimi i kompanisë së mirëmbajtjes.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) kushdo që shikon një tabelë të dëmtuar dhe barriera të deformuara mund të drejtohet te aplikacioni ‘Rruga Dixhitale’.
“Rruga dixhitale” është pjesë e programit të mirëmbajtjes së rrugëve me performancë në sigurinë rrugore që qeveria shqiptare aplikon në bashkëpunim me Bankën Botërore, në gati gjysmën e rrjetit rrugor kryesor shqiptar.
Ky aplikacion, i cili shkarkohet lehtësisht në smartphon, mund të përdoret edhe në versionin website, duke hapur kështu një dritare të re bashkëpunimi mes qytetarëve dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Aplikacioni shkarkohet falas nga gjithkush dhe vetëm me një kilikim mund të raportojë në kohë reale çdo problematikë lidhur me mirëmbajtjen, sinjalistikën rrugore apo shpronësimet për rrjetin rrugor kombëtar, i cili administrohet nga ARRSH.
/m.m/ /a.g/



























