Raportimi në “Rruga Dixhitale”, riparohet prozhektori në autostradën Tiranë-Durrës

TIRANË, 18 tetor /ATSH/- Menjëherë pas raportimit në aplikacionin “Rruga Dixhitale” për shkëputjen e një prozhektori në një nga shtyllat e autostradës Tiranë-Durrës, në afërsi të Vorës, firma e mirëmbajtjes shkoi në destinacionin e raportuar dhe ndërhyri menjëherë për riparimin e saj, duke parandaluar cënimin e sigurisë së lëvizjes së mjeteve.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën të ditur se, aplikacioni “Rruga Dixhitale” që u lançua të enjten paradite nga ministri i Infrastruturës dhe Energjitikës, Damian Gjiknuri dhe  përfaqësuesja e Bankës Botërore në Tiranë, Maryam Salim, është mirëpritur nga qytetarët dhe ka gjetur menjëherë përdorim nga ata.

Ky aplikacion, i cili shkarkohet lehtësisht në smartphon, mund të përdoret edhe në versionin website, duke hapur kështu një dritare të re bashkëpunimi mes qytetarëve dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Aplikacioni shkarkohet falas nga gjithëkush dhe vetëm me një kilikim mund të raportojë në kohë reale çdo problematikë lidhur me mirëmbajtjen, sinjalistikën rrugore apo shpronësimet për rrjetin rrugor kombëtar, i cili administrohet nga ARRSH.

/e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.