Ballina Ekonomi

FOTO – “Rruga e Arbrit”, punime intensive për korridorin lidhës Lindje-Perëndim

TIRANË, 10 tetor/ATSH/ – Në Zall-Bastar po vazhdon puna intensive për realizimin e projektit të “Rrugës së Arbrit”, me një gjatësi rreth 74 km.

Ndërtimi i “Rrugës së Arbrit” do të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme rrugën ekzistuese që përdoret sot nga Tirana për në Dibër me gjatësi 180 km, duke ndikuar në zhvillimin e zonave. Kjo rrugë do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri bën të ditur se punimet që po bëhen në Zall-Bastar, po ecin me ritme të shpejta për realizimin e kësaj vepre.

“Në Zall-Bastar, aty ku po vazhdon puna intensive për realizimin e projektit të ‘Rrugës së Arbrit’.Të gjithë ata që i gjykonin me skepticizëm projektet në 3D, tashmë e kanë mundësinë të shohin vet nga afër konkretizimin e të parës vepër të Partneritetit Publik Privat në kuadër të paketës ‘1 Miliard për Rindërtim'”, thekson Gjiknuri.

“Rruga e Arbrit” kalon në Qarkun e Tiranës – në Njësinë Administrative të Zall-Bastarit dhe nëpërmjet tunelit të Murrizit, rruga kalon në territorin e bashkisë Klos e konkretisht në fshatrat Drezës, Xibër, Shkallë, fshati Fshat. Pas daljes nga tuneli i Qafë-Buallit rruga kalon në afërsi të urës së Cerenecit, si dhe në të djathtë të fshatit Shupenzë.

Kjo rrugë lidh rajonet Lindore dhe Verilindore të Shqipërisë, duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.

Gjithashtu ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare./k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRruga Fushë-Krujë – Thumanë, lehtësim i shërbimeve për 50 mijë banorë
Artikulli tjetërRestoranti në Milano, ushqim falas në bazë të numrit të ndjekësve në Instagram