TIRANË, 24 shtator/ATSH/- Kampionati ndërkombëtar i tenisit “Albanian Open 2018”, për “seniors” u zhvillua për herë të parë në Tiranë, duke shënuar një moment të rëndësishëm për sportin e tenisit në Shqipëri.
Federata Shqiptare e Tenisit bëri të mundur që kampionati, që u zhvillua përgjatë katër ditëve të ngjitet një nivel më lart, duke e futur Shqipërinë në hartën e kampionateve me pjesëmarrje ndërkombëtare.
Niveli i lartë i mbi 60 tenistëve pjesëmarrës, vuri përballë njëri-tjetrit lojtarë shumë të mirë duke i bërë të paparashikueshme rezultatet deri në momentin e fundit. Lojtarët që u ndeshën mes tyre ishin nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi , Rusia, Haiti i largët, etj.
Ndërsa finalistët ishin nga trevat shqiptare, duke treguar se ky sport po shënon progres dhe gradualisht do të zërë vendin që i takon.
Çmimet e para i fituan Elonia Gjata nga Shqipëria dhe Jeton Hajdari nga Kosova. Ndërsa në ndeshjet çift fituan Jeton Hajdari dhe Naim Shehu.
Vendet e dyta i fituan Anila Luma dhe Genci Cakciri, të dy nga Shqipëria. Ndërsa në lojën çift, në vendin e dytë dolën Genci Kakciri dhe Shpëtim Hoxha nga Shqipëria.
Albanian Open 2018 është piketa e parë, pasi vit pas viti ky turne do vijojë të sjellë lojtarë cilësorë përballë njëri -tjetrit, nga të gjitha vendet e botës./k.s/




























