TIRANË, 29 gusht/ATSH/ – Zonat bregdetare jugore të Shqipërisë do t’i nënshtrohen një studimi fizibiliteti për projekte të infrastrukturës së transportit, e cila do të kushtojë 200 mijë dinarë kuvajtianë.
Këshilli i Ministrave miratoi sot marrëveshjen e grantit për asistencë teknike me Fondin e Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, për financimin e përgatitjes së një studimi fizibiliteti për projekte të infrastrukturës së transportit, në zonat bregdetare jugore të Shqipërisë.
Ky vendim u miratua nga Këshilli i Ministrave në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr. 43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
Sipas vendimit, ky grant arrin shumën prej 200 000 (dyqind mijë) dinarësh kuvajtianë. Vendimi hyn në fuqi pas publikimit në fletoren zyrtare. /k.s/r.e/






















