SOFT NEWS – Sonte eklipsi më i gjatë i Hënës

PARIS, 27 korrik /ATSH-AFP/ – Toka përjeton eklipsin e plotë të Hënës, më i gjati i shekullit XXI. Sonte dhe gjatë ditëve në vijim, Marsi do të jetë në pikën më të afërt me Tokën që nga 2003, dhe do të jetë i dukshëm në formën e një ylli të shndritshëm të kuq, kur qiejt të jenë të pastër.

Sipas shkencëtarëve, shfaqja e Marsit në të njëjtën kohë me eklipsin hënor, nuk është e vetmja koincidencë. Bëhet fjalë sipas tyre për një procesion planetësh, një renditje e fqinjëve tanë qiellorë që do t’i ofrojë vëzhguesve të qiellit një shikim veçanërisht të rrallë të Afërditës, Jupiterit, Saturnit dhe Marsit.

Ky eklips do të shihet gjerësisht në Europë ndërkohë që spektakël pritet të japë dhe Marsi, sepse në të njëjtën natë planeti i Kuq do të jetë i dukshëm sikundër nuk kishte ndodhur që në vitin 2003.

Lajmi konfirmohet edhe nga NASA, e cila sjell në vëmendje se që nga 2015 nuk ka pasur një eklips kaq të rëndësishëm.

Më 27 korrik Hëna do të fshihet nga drita e Diellit brenda çadrës së Tokës duke u gjendur në distancën maksimale nga Toka duke u shndërruar në një minihënë, ose Hëna më e vogël e vitit.

Ndryshe nga Hëna që do të jetë në pikën e saj më të largët nga Toka, planeti Mars, i cili vështirë të shihet edhe me teleskopë, do të jetë këtë natë në distancën e tij më të vogël nga Dielli.

Eklipsi i cili përkon në momentin kur Hëna zhytet në hijen e Tokës do të jetë pjesërisht ose plotësisht i dukshëm në gjysmën e botës, kryesisht në hemisferën lindore. Spektakli mund të shijohet nga Afrika, Europa, Azia dhe Australia.

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.