TIRANË, 6 korrik/ATSH/ – Pas tërmetit në mesnatën e kësaj të premteje, sizmologu Rrapo Ormeni ka dhënë një kornizë më të qartë të lëkundjeve të regjistruara, ndërsa ka bërë me dije se lëkundjet e tjera (të mundshme) do të jenë nën vlerën 4.3 magnitudë.
Pas tërmetit të ndjerë rreth orës 00:48 në kryeqytet, Ormeni ka shpjeguar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se do të vazhdojë të ketë tërmete të tjerë, më të vegjël.
Kjo sipas tij, si pasojë e prishjes së ekuilibrave në zonën ku u gjenerua tërmeti kryesor.
Sizmologu tha për ATSH se në total janë regjistruar 525 tërmete gjatë këtyre ditëve ndërsa mbrëmjen e kaluar epiqendra e tërmetit ishte në detin Adriatik, më konkretisht 5 km në perëndim të Gjirit të Lalzit, me magnitutë 4.3 Rihter.
Ai ka thënë se nuk ka vend për panik te qytetarët.
/z.tosku /a.g/























