Ballina Aktualitet

Bushati në Rodos: Sfidat e reja të sigurisë kërkojnë bashkëpunim të përforcuar

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ – Nevojitet bashkëpunim i përforcuar për sfidat e reja të sigurisë.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati po merr pjesë në Konferencën e Tretë për Siguri dhe Stabilitet, në Rodos.

Në këtë forum vjetor për dialog, lidhur me sfidat e sigurisë në Mesdheun Lindor marrin pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve midis dy brigjeve europiane dhe arabe të rajonit të Mesdheut.

Ministri Bushati në fjalën e tij u ndal tek nevoja e bashkëpunimit mes vendeve, në përballjen me sfidat aktuale të sigurisë. Për ministrin Bushati, multilateralizmi po vihet gjithnjë e më tepër në pikëpyetje, ndërsa organizatat ndërkombëtare e rajonale, dikur tribuna bashkëpunimi, po vihen nën kundërshtime të rrepta.

Bushati nënvizoi nevojën e një bashkëpunimi të përforcuar dhe kreativ për të përballuar sfidat e sigurisë, të cilat janë prezente për një kohë të gjatë.

“Kemi një dinamikë të re për çështjet e migracionit pasi burimet e konfliktit nuk janë adresuar ende, por për fat të keq egoizmi po mbizotëron në trajtimin e kësaj çështje duke e vendosur solidaritetin aq shumë të nevojshëm në plan të dytë”, – nënvizoi ministri.

Për kreun e diplomacisë shqiptare, politika e jashtme ka një lidhje të natyrshme me historinë dhe zhvillimin ekonomik. “Por, – vijoi ai, – është koha që në përballimin e sfidave të sigurisë te demostrojmë se politika e jashtme udhëhiqet nga disa vlera të përbashkëta morale”.

Gjatë punimeve të kësaj konference, ministri Bushati dhe homologu i tij grek Nikos Kotzias do të zhvillojnë një takim, gjatë të cilit do të diskutojnë ecurinë e dialogut mes dy vendeve. /gj.mima//j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Shërbimet sekrete paralajmërojnë për sulme kibernetike
Artikulli tjetërStatistikat, më pak aksidente rrugore në muajin maj