Statistikat, më pak aksidente rrugore në muajin maj

TIRANË, 21 qershor/ATSH/- Numri i aksidenteve ashtu si edhe numri i personave të aksidentuar shënuan ulje gjatë muajit maj krahasuar me majin e vitit 2017.

Instituti i Statistikave (INSTAT) raporton se në maj numërohen 155 aksidente rrugore nga 176 aksidente të ndodhura në majin e vitit të mëparshëm, ose 11.9% më pak.

Në maj 2018, numri i të aksidentuarve është 198 persona nga 240 që ishte një vit më parë, duke u ulur 17.5%.

Edhe në periudhën 5 mujore numri i të aksidentuarave është më i ulët se sa në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Gjatë kësaj periudhe numërohen 849 të aksidentuar ose ulur 11.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në pesë mujorin e parë 2018, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 78 nga 93 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Referuar shifrave rezulton se numri më i lartë i aksidenteve është shënuar në Tiranë me 69 të tillë e ndjekur nga Durrësi me 20 dhe Lezha me 17 aksidente.

Në pesë mujorin e parë 2018, aksidentet rrugore, në 19.6% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit.

Gjatë kësaj periudhe numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 1.5 % krahasuar me të njëjtën periudhe të një viti më parë./a.gjonaj/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.