TIRANË, 8 qershor/ATSH/ – Një trupë e Forcave Ajrore të Republikës së Shqipërisë, në datat 3-9 qershor janë pjesëmarrëse në stërvitjen shumëkombëshe “Adriatic Strike”, që është duke u zhvilluar në disa rajone të Sllovenisë dhe jashtë saj.
Me dhjetra vende anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere janë pjesëmarrëse në stërvitje.
Avionë, helikopterë dhe trupa ushtarake të tjera për një javë janë ushtruar së bashku, duke arritur rezultate të larta të ndërveprueshmërisë e të zbatimit të standardeve të nevojshme operacionale. Trupat shqiptare së bashku me një helikopter COUGAR kanë qenë pjesë e kësaj stërvitje që prej fillimit të saj.
Në kuadrin e Ditës së Vizitorëve të shquar, mjediset e Bazës Ajrore të Cerklje, Slloveni, u vizituan nga trupi diplomatik i akredituar në Slloveni dhe u informua për objektivat, skenarin, trupat pjesëmarrëse në stërvitje, si dhe ndoqi një pjesë të demonstrimeve ushtarake.
Ambasadori Pëllumb Qazimi, i shoqëruar nga atasheu i mbrojtjes të Shqipërisë në Slloveni, kolonel Ylli Pulaj, u takuan me trupat ushtarake shqiptare pjesëmarrëse në stërvitje dhe i përgëzuan për arritjet e tyre operacionale në një mjedis ndërkombëtar, sidomos për treguesit e ndërveprueshmërisë e të veprimit së bashku me struktura ushtarake të vendeve të tjera të Aleancës së NATO-s dhe të vendeve partnere.
/gj.mima/ /a.g/



























