Ballina Aktualitet

Eurodeputetët austriakë vlerësime për implementimin e Reformës në Drejtësi

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ – Austria ka mbështetur fuqimisht hartimin dhe implementimin e Reformës në Drejtësi.

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, priti në një takim homologun e tij të Partisë Popullore austriake, Reinhold Lopatka dhe nënkryetarin e kësaj partie, Michael Hammer.

Kryetari i Grupit Balla u shoqërua në këtë takim nga nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi dhe deputeti Fate Velaj.

Gjatë takimit, Balla e falenderoi delegacionin e Parlamentit austriak për mbështetjen e fortë që Austria i ka dhënë Shqipërisë, e konkretizuar më së miri në prezencën ekonomike dhe financiare austriake në Shqipëri, gjithashtu edhe në votën e pakushtëzuar ‘Pro’ të Austrisë për hapjen e negociatave për anëtarësim mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.

“Dua t’ju informoj se procesi i Vetting-ut në sistemin e drejtësisë po jep rezultate konkrete, duke përjashtuar nga sistemi dhe vendosur në ndjekje penale gjyqtarë dhe prokurorë të niveleve të larta, për pasuri të vendosura në mënyrë të paligjshme e të krijuara për shkak të korrupsionit 27-vjeçar në drejtësi. Pikërisht suksesi i Vetting-ut dhe lufta pa kompromis kundër krimit e korrupsionit, Reforma në administratën publike, roli i Shqipërisë në rajon dhe politika jonë e jashtme në harmoni të plotë me BE, etj., janë kriteret e përmbushura mbi të cilat u bazua rekomandimi ‘Po’ hapjes së negociatave nga Komisioni Europian për Shqipërinë”, – u shpreh Balla.

“Austria ka mbështetur fuqimisht hartimin dhe implementimin e Reformës në Drejtësi edhe me prezencën e vyer të ekspertëve austriakë. Ju jemi mirënjohës për mbështetjen tuaj në rrugën e integrimit europian”, – theksoi gjatë takimit nënkryetarja e Kuvendit, Hysi.

Lopatka vlerësoi hapat e hedhur deri më tani në drejtim të implementimit të Reformës në Drejtësi. Ai përgëzoi Qeverinë shqiptare në masat e ndërmarra në luftën kundër krimit, duke nënvizuar edhe rolin e Shqipërisë në masat e marra për bllokimin e korridorit të lëvizjes së emigrantëve të paligjshëm nga Greqia në drejtim të vendeve të Europës Qendrore. “10 vite më parë në gazetat austriake flitej shumë për krimin shqiptaro-kosovar, ndërsa tani ky shqetësim është më pak i pranishëm”, – u shpreh Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Popullore Austriake, Reinhold Lopatka.

“Lidhur me rastin e denoncuar nga opozita, lidhur me një përgjim të pretenduar të vëllait të ministrit të Brendshëm, kjo çështje po hetohet nga Prokuroria dhe të gjithë të presin përfundimin e hetimeve. Në rast se do të kemi të bëjmë më një inskenim, kjo përbën një përgjegjësi të rëndë të partisë që mori përgjegjësinë e autorësisë”, – informoi miqtë austriakë, kryetari i grupit socialist Balla.

“Për këto lloj çështjesh duhet të flasë drejtësia dhe jo politika. Të gjithë të presim me besim hetimin”, – u shpreh Lopatka.

/gj.mima//a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Investime dhe përmirësim i infrastrukturës në periferi të Tiranës
Artikulli tjetërQytetarët besim të lartë te Policia e Shtetit