TIRANË, 6 qershor/ATSH/ – Drejtoria Rajonale Tatimore e Korçës, në kuadër të planit të masave për sezonin turistik zhvilloi në qytetin e Pogradecit një tryezë të përbashkët me subjekte, që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor.
Në fjalën e tij, drejtori i DRT-së Korçë, Juxhin Saro e vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit me sipërmarrjen turistike në këtë rajon për të bërë të mundur mbarëvajtjen e sezonit.
Pasi i njohu pjesëmarrësit në takim me planin që ka nisur të zbatohet, Saro theksoi se qëllimi kryesor është që sigurohet zbatimi korrekt i detyrimeve tatimore, si dhe të rritet transparenca e kërkuar nga turistët.
Drejtori i DRT-së Korçë i ftoi bizneset që të përmirësojnë vetëdeklarimet e tyre dhe të realizojnë pagesat brenda afateve të përcaktuara në ligj.
“Tatimpaguesit që do të reagojnë pozitivisht ndaj kësaj ftese të administratës tatimore që me deklaratën e TVSH-së së periudhës tatimore maj 2018 dhe në vijim, gjatë muajve të tjerë të sezonit, nuk do të jenë objekt i kontrolleve apo vizitave fiskale”, – theksoi Saro.
Sipas tij, Administrata Tatimore ka në fokus të punës ndërgjegjësimin e tatimpaguesve dhe jo penalizimin e tyre.
Përfaqësuesit e biznesit, nga ana e tyre, vlerësuan zhvillimin e këtyre takimeve dhe kërkuan që të forcohen masat për uljen e informalitetit, gjë e cila i shërben përmirësimit të klimës së sipërmarrjes dhe lufton konkurrencën e pandershme.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është duke zbatuar një plan të detajuar masash për të siguruar një ecuri sa më pozitive të sezonit, në të gjitha zonat turistike të vendit. /k.s//a.g/























