TIRANË, 4 Qershor/ATSH/ -Ka ardhur momenti që marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Japonisë të marrin një hov të ri. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati nisi sot një vizitë në Japoni, gjatë së cilës, do të takohet me homologun e tij, ministrin për Punët e Jashtme të Japonisë, Taro Kono.
Në fokus të kësaj vizite është bashkëpunimi dypalësh dhe thellimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Në këtë optikë, gjatë ditës së sotme, Ministrit Bushati zhvilloi takime me ministrin japonez të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Hiroshige Seko, presidentin e Federatës Japoneze të Biznesit, Yoshio Sato, si edhe mori pjesë në aktivitetin e organizuar me këtë rast nga ambasada e Shqipërisë në Tokio “Një ditë shqiptare në Tokio”, për promovimin e fushave dhe veprimtarisë së biznesit shqiptar në tregun japonez dhe të Shqipërisë si një destinacion potencial për investitorët japonezë.
Në takimin me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Hiroshige Seko u diskutua në lidhje me stadin aktual të marrëdhënieve ekonomike, intensifikimin e mëtejshëm të tyre dhe përqendrimin në fusha specifike si infrastruktura, turizmi dhe bujqësia.
Ministri Bushati falënderoi për ndihmën e deritanishme japoneze me projekte për zhvillim, duke theksuar se ka ardhur momenti që marrëdhëniet ekonomike të marrin një hov të ri edhe në kontekstin e Nismës Japoneze të Bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor. Ai e njohu ministrin Seko me progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE dhe ftoi përmes tij, qeverinë dhe sipërmarrjet japoneze të mbështesin projektet e iniciuara përmes nismave të tjera në rajon, në kuadër edhe të Procesit të Berlinit dhe të partneritetit strategjik që Japonia ka me BE-në. Ministri Seko ftoi sipërmarrjet shqiptare që të marrin pjesë në panairin Expo Osaka 2025 si një mundësi e mirë e prezantimit të produkteve shqiptare në tregun japonez.
Në fjalën e tij në aktivitetin “Një ditë shqiptare në Tokio”, ministri Bushati nënvizoi se “Shqipëria është një vend me potencial të lartë për të investuar dhe një platforme solide për zgjerimin e investimeve japoneze në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë kësaj vizite, Ministri Bushati shoqërohet nga një delegacion parlamentar dhe nga komuniteti i biznesit në Shqipëri.
Në përfundim të ditës së parë të vizitës, Ministri Bushati dhe përfaqësuesit e biznesit shqiptar zhvilluan një takim të frutshëm me Federaten Japoneze të Biznesit, ku u diskutua mbi mundësitë dhe fushat kokrete për të investuar në Shqipëri si energji, turizëm dhe infrastrukturë, dhe mënyrat për të rritur shkëmbimet tregtare me Japoninë. “Ne vlerësojmë vëmendjen e shtuar të Japonisë ndaj rajonit tonë dhe Iniciativa e Ballkanit Perëndimor përbën një instrument të rëndësishëm për promovimin e marrëdhenieve më të ngushta midis vendeve tona”, u shpreh ai.
Ministri Bushati siguroi interlokutorët japonezë që Shqipëria, falë pozicionit të saj gjeografik dhe reformave të ndërmarra për zhvillim dhe në përafrimin e saj me BE-në, aktualisht përbën një portë hyrëse shumë të favorshme për investime të huaja për një treg edhe më të madh përfshirë gjithë rajonin e Ballkanit.
Vizita e ministrit Bushati në Japoni do të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme me takimin me homologun Komo, në parlamentin japonez, JICA dhe JETRO.
/gj.mima/ j.p/
































