TIRANË, 4 Qershor/ATSH/.- Institucionet e Kosovës janë të vendosura që të parandalojnë çfarëdo përhapje të ideologjive ekstremiste që kanë potencial të kalojnë në terrorizëm dhe për këtë ka miratuar edhe ligjin që i ndalon qytetarëve pjesëmarrjen në luftërat e huaja.
Kështu theksoi sot kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në konferencën rajonale mbi parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm “Të gjithë së bashku në parandalim të ekstremizmit të dhunshëm – Partneritete për Sukses në Ballkanin Perëndimor”, që u zhvillua sot në Tiranë.
Kryeministri Haradinaj foli rreth rolit konstruktiv dhe kontributit të Republikës së Kosovës në bashkëpunimet rajonale dhe më gjerë, në funksion të krijimit të paqes dhe stabilitetit.
“Komunitetet fetare dhe udhëheqësit fetarë do të vazhdojnë të jenë një nga partnerët më të rëndësishëm në luftën kundër mesazheve të ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm”, theksoi Haradinaj duke shtuar se do të vazhdohet të punohet ngushtë me udhëheqësit fetarë në forcimin e marrëdhënieve të komuniteteve të ndryshme fetare.
Më tej, kryeministri Haradinaj tha se “ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi janë dukuri të cilat nuk e kanë një atdhe, nuk e kanë një vendndodhje të caktuar, por po paraqesin rrezik për botën bashkëkohore, për njerëzimin, për paqen dhe sidomos për njerëzit e pafajshëm”.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri Haradinaj, ritheksoi kërkesën që Republika e Kosovës të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare të sigurisë, sidomos në Interpol si dhe mundësinë e bashkëpunimit me Europolin në mënyrë që të jap kontributin e saj./k.s/























