BERLIN – Rritje spektakolare e marrjes së shtetësisë gjermane nga britanikët

BERLIN, 23 maj /ATSH-AFP/ – Gjermania regjistroi në vitet 2016 dhe 2017 një rritje të jashtëzakonshme të marrjes së shtetësisë nga shtetasit britanikë, si rrjedhojë e Brexit, pasi në mars të vitit 2019 Britania e Madhe do të largohet nga Bashkimi Europian, sipas statistikave zyrtare të publikuara sot.

“Ndërkohë që në vitin 2015 vetëm 622 shtetase dhe shtetas britanikë morën shtetësinë gjermane, në vitin 2016 u regjistruan 2 865 raste (+361% në raport me vitin e mëparshëm) dhe 7 493 në vitin 2017 (+162%), një rekord i ri pas atij të vitit 2016”, njoftoi zyra gjermane e statistikave, Destatis.

Në vitin 2016 dhe 2017 janë 10 358  britanikë që morën shtetësinë gjermane ose më shumë se dyfishi i numrit të përgjithshëm për vitet 2000 deri në 2015 (5 092 marrje shtetësie).

Britanikët u pozicionuan në këtë mënyrë në vendin e dytë në vitin 2017, pas shtetasve turq (14 984 shtetësi gjermane në vitin 2017), komuniteti i parë i huaj në Gjermani.

Ndërkohë ky kontigjent është mesatarisht shumë më i moshuar se personat që kanë marrë shtetësinë në shtete të tjera, me një moshë mesatare prej 52,8 vjeç, kundrejt 34,8 vjeç./ /v.b/ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.