Gjirokastra zemra e jugut, pol i rëndësishëm turistik

TIRANË, 22 maj /A.ALLA ATSH/ – Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro mori pjesë në takimin me banorët e Tepelenës për prezantimin e projekteve për qarkun e Gjirokastrës.

Gjatë fjalës së saj ajo u shpreh se ,”Banka Botërore në programin e saj me qeverinë shqiptare të nënshkruar në dhjetor të 2016 për të investuar 71 milionë dollar në programin e zhvillimit të integruar urban dhe turizmit ka zgjedhur katër bashki dy prej të cilave janë në qarkun e Gjirokastrës. Këto projekte sapo kanë filluar dhe do të jenë një mbështetje shumë e fuqishme për financimet që bën qeveria në këtë qark”.

Kumbaro theksoi se ”për Gjirokastrën do të shkojnë më shumë investime
dhe ideja është që të krijohet një model i ri zhvillimi në qarkun e Gjirokastrës, prandaj në të katër bashkitë përfshi dhe Beratin e Sarandën kemi në fakt zhvillim të integruar lidhur me infrastrukturën që i shërbejnë jo vetëm komunitetit, por të tërheqë turizmin dhe investitorët e cila është praktikisht e ardhmja e qarkut. Dhe jo më kot, Gjirokastra është zemra e jugut është porta hyrëse në gjithë Shqipërinë e jugut është një qytet i jashtëzakonshëm me histori. Pra, Gjirokastra është një lloj legjende që tashmë është kthyer në realitet”.

Ministrja Kumbaro shtoi se ,”para katër vjetësh Gjirokastra ishte si një ‘bukuroshe e fjetur’ që askush nuk ishte kujtuar ta zgjonte. Sot Gjirokastra duke lidhur zinxhirin e kalave Tepelenën e Libohovën krijon itinerarin më fantastik të turizmit duke zhvilluar paralelisht dhe zonën bujqësore. Kjo e bën që të jetë pol i rëndësishëm për jugun e Shqipërisë dhe kjo është arsyeja pse vetëm aty nga projekti i Bankës Botërore do të investohen rreth 15 milionë euro”.

Kumbaro foli dhe për investimet në këtë qark ku tha se ,”po bëjmë rehabilitimin e plotë të qendrës së pazarit që është kartolina kryesore e qarkut, ku 10 mijë metra katror janë pjesë e restauruar e hapësirave të cilat janë prona private ku investohen para publike dhe kjo është arsyeja pse partnerët tanë i besuan qeverisë shqiptare për të investuar si rrallë ndonjëherë përpara në trashëgimi kulturore”.

”Projekt tjetër i rëndësishëm brenda qytetit të Gjirokastrës është investimi në ndriçimin e qendrës historike. Gjithashtu sistemi i ri i rehabilitimit të muzeve nga kalaja deri në shtëpitë muze. Vërtetë investojmë në infrastrukturë ,në qafën e pazarit, investojmë në kala gjë e cila po ndiqet që tani me një ofertë turistike të jashtëzakonshme me një ritëm shumë më të shpejt nga e prisnim”, shtoi ministrja.

Kumbaro theksoi se ”në 2013 në Gjirokastër kishim dy hotele, sot numërohen mbi 15. Ajo që është më e bukura është që ka nisur konkurrenca e sipërmarrjes . Programi ynë është zgjerimi i hartës turistike ,që kur turisti të vijë në Tepelenë apo në Gjirokastër nuk duhet të rrijë 24 orë, ne kemi potencial ta mbajmë dhjetë ditë apo dy javë. Po të shkojmë sot në Përmet nuk ka vende për të fjetur, ka shumë pak ofertë akomoduese dhe turistët shkojnë akomodohen në Gjirokastër dhe gjej rastin këtu t’i ftojë të gjithë sipërmarrësit e zonës të vijnë të investojnë se konkurrenca është e fortë por gjithashtu është shumë e bukur dhe sfiduese ”.

”Një tjetër bashki që e kam përzemër është Libohova ,e cila sot ka ndryshuar faqe. Shkoni investoni pasi ka një potencial agroturistik të jashtëzakonshëm. Rruga e përfunduar në Labovë, kisha e jashtëzakonshme e ”Labovës së Kryqit” janë pjesë e investimeve në bashkinë e Libohovës që sot bëjnë që turisti që vjen nga Tirana nuk besoj të shkojë në një vend tjetër,le të qëndroj këtu në qarkun tonë se ka shumë gjëra për të zbuluar”, tha Kumbaro .

Ajo sqaroi dhe u shpreh se ”ndërkohë kemi gjithë projektet që kanë të bëjnë me infrastrukturën, investimet strategjike që afrojnë Gjirokastrën me bregdetin janë në fakt revolucioni i madh që ne i bëjmë zhvillimit të kësaj zone.

Ajo tha se ,”ministria e Kulturës ka territorin e vet të preferuar sepse ky qark ka numrin më të madh të monumenteve të kulturës, ka gjithashtu një qytet në listën e pasurive në UNESCO dhe vëmendja për këtë zonë duhet të jetë e shtuar”.

”Një seri investimesh siç është investimi në të gjithë ansamblin arkitektonik të pazarit të Gjirokastrës ,në sahatin që më në fund iu rikthye koha ne kalanë e Gjirokastrës, lagjia 18 shtatori iu nënshtrua një tjetër procesi restaurimi të cilin e kemi quajtur ”Gjirokastra e bardhë”, në Përmet kemi realizuar restaurimin dhe ndriçimin e gurit të Përmetit,restaurimi i qendrës së Libohovës me vlerë 150 milionë lek duke mos harruar dhe ”Rrugët e besimit” ku vetëm në dy vitet e fundit kemi restauruar një seri kishash që nga Sopiku në Pogon. Fillojmë së shpejti me kishën e Peshkopisë në Dropull, Kisha në Kosinë e ”Shën Mërisë” në Përmet dhe kisha në Bënjë po shkon drejt përfundimit. Këto janë të gjitha itinerare,jo vetëm restaurime por ndalesa turistike në 100 fshatrat”, u shpreh në fund të fjalës së saj ministrja Kumbaro. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.