RIAD, 4 maj /ATSH-AFP/ – Arabia Saudite ka prezantuar zyrtarisht një program për krijimin e qendrave kulturore dhe të argëtimit duke parashikuar investime prej 34 miliardë dollarësh deri në vitin 2020, njoftuan dje në mbrëmje zyrtarët sauditë në Riad.
“Programi për cilësinë e jetës 2020 është një prej shtyllave të planit të reformës ‘Vision 2030’, i destinuar për diversifikimin e ekonomisë saudite dhe për të ulur varësinë e saj nga nafta, frymëzuar nga princi trashëgimtar Mohammed ben Salmane”, theksuan zyrtarët.
“Ky program do të krijojë 300 000 vende pune dhe investimet publike do të arrijnë në 50,9 miliardë rialë (13,3 miliardë dollarë)”, deklaroi për shtypin, Ahmad Khatib, drejtuesi i këtij programi dhe organizmi zyrtar për argëtimin.
”Pjesa tjetër e financimeve do të sigurohet nga sektori privat dhe partnerët e huaj”, shtoi ai.
Ai i kërkoi sektorit privat të investonte në këtë program që përfshin ndër të tjera, ndërtimin e objekteve sportive, të sallave të kinemave, teatrove dhe qendrave të argëtimit.
“Objektivi është të përmirësojmë cilësinë e jetës së sauditëve. Kjo do të kontribuojë në kënaqësinë e sauditëve dhe do t’i nxisë ata të investojnë dhe të qëndrojnë në vendin e tyre”, theksoi Ahmad Khatib.
Ky park është paraqitur si ekuivalenti i një Disneyland-i ku autoritetet shpresojnë të tërheqin 17 milionë vizitorë deri në 2030./ /ec/ a.jor.























