TIRANË, 2 maj/ATSH-Maela Marini/ – Llogariadhënia publike nis sot nga Tirana, ku infrastruktura shëndetësore dhe ajo arsimore, sipas Kryeministrit Edi Rama, “po njohin një transformim të ri.
Në aktivitetin e organizuar sot për prezantimin e projekteve të reja për kryeqytetin, Kryeministri u ndal te fushata e llogaridhënies publike, një hap që sipas tij, “shtrin më tutje bashkëpunimin me qytetarët për të përmirësuar punën dhe përbën një bazë shumë të mirë për të nesërmen”.
Sa i përket investimeve në arsim e shëndetësi në kryeqytet, Rama tha se “janë 3 shkolla të reja që i shtohen 17 shkollave në proces ndërtimi në bashkinë e Tiranës, ndërkohë që edhe qendra shëndetësore e Tiranës do të njohë një transformim të ri”.
“Ne kemi projekt të transformojmë 300 qendra shëndetësore vitin e ardhshëm nga të cilat 80 këtë vit dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre janë në Tiranë”, tha Rama.
Sa i takon çështjeve të sigurisë, Kryeministri theksoi se “po shtrihemi më shumë në komunitet për të pasur një qasje të re më të mirë në drejtim të sigurisë”.
Ne kemi shumë për të bërë, theksoi Kryeministri, për të përmirësuar dhe për të reflektuar mbi të gjitha ato që mund dhe duhet të bëhen, duke mos humbur lidhjet me njerëzit.
“Një hall i një personi është i padukshëm nëse e shikon nga larg, por nëse e ke vetë është halli më i madh. Ndaj sa më shpejt duhet të jemi në lartësinë e sfidës për të trajtuar hallin e çdo njeriu si hallin tonë”, tha Rama.























