Ballina Lajme nga Vendi

Menaxheri: Hysaj kërkohet nga 3 klube angleze

TIRANË, 2 Maj/ATSH/ -Menaxheri i Hysajt, Mario Giuffreddi në një prononcim për portalin “CalcioNapoli24” ka zbuluar se janë tre klube të Premier Leagues që kanë shfaqur interes konkret për lojtarin e kombëtares sonë.

“Hysaj tek Chelsea? Elseidi kërkohet nga shumë klube në Premier League, madje 3 prej tyre kanë kryer lëvizje konkrete, megjithatë duhet parë sa të gatshëm janë për të paguar klauzolën e tij”, ka deklaruar Giuffredi, duke parashtruar edhe pikën kryesore të negociatave, që është pikërisht klauzola e largimit që Hysaj ka në kontratën e tij aktuale me klubin napoletan.

Më 2016-ën mbrojtësi kuqezi zgjati marrëveshjen me Napolin deri në vitin 2021 me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër, ndërsa në kontratë u përfshi edhe klauzola prej 50 milionë eurosh. Gjatë merkatos së verës, emri i Hysajt u përmend si pjesë e listës së dëshirave të Chelseat dhe Manchester Unitedit.

24-vjeçari me fanellën e kaltër u shndërrua në një ndër futbollistët më të mirë të linjës së djathtë, megjithatë e ardhmja e shkodranit mund të jetë larg Napolit.

gj.m/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakChampions League/ Roma-Liverpool, verdhekuqtë shpresojnë tek përmbysja në “Olimpico”
Artikulli tjetërTransformim i ri i infrastrukturës shëndetësore dhe arsimore në Tiranë