SHBA – Merkel takohet me Trump për tarifat e metaleve dhe Iranin

BERLIN, 27 prill /ATSH-DPA/ – Kancelarja gjermane, Angela Merkel mbërriti mbrëmjen e së enjtes në Uashington, ku pritet të diskutojë me presidentin amerikan Donald Trump lidhur me marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe përjashtimin e përhershëm të Europës nga tarifat amerikane mbi çelikun dhe aluminin.

Merkel është parashikuar të takohet sot me Trump në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë dhe, më pas, të dy liderët do të drekojnë bashkë në një takim që pritet të zgjasë rreth tri orë.

Vizita e kancelares gjermane pason atë të presidentit francez Emmanuel Macron, ndonëse takimi i saj është dukshëm më pak i zhurmshëm se ai i Makronit, pritja e të cilit përfshiu edhe një banket shtetëror dhe një fjalim në Kongresin amerikan.

Hera e fundit që Merkeli ishte në Shtëpinë e Bardhë ishte në mars të vitit 2017, ku gjestet mes dy liderëve u zmadhuan edhe më tepër nga Trump, kur ai shpërfilli thirrjet e gazetarëve që të shtrëngonte duart me Kancelaren Merkel gjatë një seance fotografimi. Ai i dha dorën Merkelit vetëm në fund të konferencës për shtyp.

Merkel dhe Trump pritet të zhvillojnë një konferencë tjetër shtypi në fund të vizitës./ /ush/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.