Ballina Ekonomi

TVSH-ja për biznesin e vogël, Vjero: Deklaratë të thjeshtuar

TVSH-ja për biznesin e vogël, Vjero: Deklaratë të thjeshtuar

TVSH-ja për biznesin e vogël, Vjero: Deklaratë të thjeshtuarhttps://ata.gov.al/2018/04/19/tvsh-ja-per-biznesin-e-vogel-vjero-deklarate-te-thjeshtuar/Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero zhvilloi sot një inspektim pranë Shërbimit të Tatimpaguesve të Tiranës, nga ku edhe bëri të ditur se thjeshtimi i deklaratës është bërë me qëllim për t'i ardhur në ndihmë tatimpaguesve. Ajo, po ashtu bëri të ditur se, ndryshe nga sa është deklaruar se do të ketë mbyllje të bizneseve të vogla në vend për shkak të përfshirjes në skemë të kësaj kategorie biznesi, pranë Administratës Tatimore deri tani nuk ka asnjë kërkesë për të mbyllur biznesin apo për të kaluar në status pasiv.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on 19.04.2018

 

TIRANE, 19 Prill/ATSH/-Deklarata që do të kryejë biznesi i vogël, i cili realizon një xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë e që për herë të parë u përfshi nga data 1 prill në skemën e TVSH-së do të jetë e thjeshtuar, ç’ka do të thotë se nuk do të përmbajë të gjitha rubrikat që ka një deklaratë standarde.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero zhvilloi sot një inspektim pranë Shërbimit të Tatimpaguesve të Tiranës, nga ku edhe bëri të ditur se thjeshtimi i deklaratës është bërë me qëllim për t’i ardhur në ndihmë tatimpaguesve.

“Deklaratat do të jenë në baza tremujore. Ne kemi menduar për një deklaratë të thjeshtëzuar të TVSH-së, që do të thotë se nuk do të ketë të gjitha rubrikat që mban një deklaratë standarde e TVSH-së dhe kjo për t’i ardhur në ndihmë të gjithë tatimpaguesve gjatë këtij procesi”, theksoi Vjero.

Ajo, po ashtu bëri të ditur se, ndryshe nga sa është deklaruar se do të ketë mbyllje të bizneseve të vogla në vend për shkak të përfshirjes në skemë të kësaj kategorie biznesi, pranë Administratës Tatimore deri tani nuk ka asnjë kërkesë për të mbyllur biznesin apo për të kaluar në status pasiv.

“Deri tani nuk kemi numër kërkesash nga tatimpaguesit për t’u ç’rregjistruar, apo kaluar pasiv, ç’ka dëshmon se tatimpaguesit po marrin të gjithë asistencën e janë duke vijuar punën e tyre pranë vendit ku ata zhvillojnë aktivitetin”, u shpreh drejtore e Tatimeve.

Administrata tatimore, sipas Vjeros, nuk do të jetë e ashpër me penalitete për deklarata të gabuara gjatë momentit të plotësimit.

“Qëllimi ynë është t’i parandalojmë në kohë të gjitha këto problematika dhe prandaj edhe kemi ngritur këndet e biznesit të vogël, zhvillojmë takime të dedikuara pranë tatimpaguesve, apo edhe sesione të shumta trajnimi dhe informimi”, shpjegoi ajo.

Vjero ftoi të gjithë tatimpaguesit të cilët janë përfshirë në këtë skemë që për çdo paqartësi që ata kanë t’u drejtohen këndeve të asistencës për biznesin e vogël.

Ky kënd, tha ajo, është tashmë i ngritur në 13 drejtori rajonale. Ndërsa për ata tatimpagues që e kanë të vështirë qasjen pranë këtyre këndeve, Vjero informoi se janë ngritur grupe pune që po punojnë në terren, të cilët i ndjekin hap pas hapi tatimpaguesit në vendin ku ata zhvillojnë aktivitetin.

“Deri më sot ne kemi zhvilluar vizita në mbi 5700 biznese, nga 9975 që janë përfshirë në skemë. Puna në territor vazhdon për t’i kontaktuar e trajnuar të gjithë tatimpaguesit”, u shpreh ajo.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve shpjegoi edhe shqetësimin e ngritur nga dy institucionet financiare ndërkombëtare, me të cilat qeveria shqiptare bashkëpunon ngushtë, FMN dhe BB.

“Shqetësimi i tyre lidhet me faktin se ata kërkojnë që vëmendja e administratës tatimore të fokusohet te tatimpaguesit e mëdhenj. Por, kjo nuk do të thotë dhe asnjëherë nuk është shprehur as nga FMN e as nga BB se administrata tatimore nuk ka kapacitetet e nevojshme për përpunimin e deklaratave”, deklaroi Vjero.

Sipas saj, administrata tatimore i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme në nivelin e teknologjisë dhe informacionit, sepse sistemi tashmë është i formatizuar dhe lejon përpunimin e mijëra deklaratave mujore. “Janë mbi 20 mijë deklarata mujore që përpunohen nga stafi ynë”, tha ajo.

Po ashtu, Vjero siguroi se DPT ka staf të mjaftueshëm qoftë në shërbimin e tatimpaguesve, të cilët do të ndjekin këtë proces në territor, ashtu edhe pranë strukturave kontrolluese.

“Pra qoftë burimet njerëzore edhe infrastruktura e nevojshme na e lejon ne të përpunojmë edhe 9975 deklarata të reja”, vuri në dukje Vjero.
/a.gjonaj/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakStatusi i naftëtarit, deri tani 1 mijë përfitues
Artikulli tjetërFluturimet Tiranë-Londër, nga sot 30 euro