Ballina Kryesore

Hapja e negociatave, Bushati: 17 prilli, moment i rëndësishëm për Shqipërinë

TIRANE, 7 Prill/ATSH/- “Më 17 Prill presim që Komisioni Europian të rekomandojë për Shqipërinë, çeljen e  negociatave për anëtarësim në BE”, deklaroi nga Shkodra, kryediplomati Ditmir Bushati.

Në një prononcim për mediat, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme shprehu besimin që KE do të konfirmojë reformat duke e kthyer 17 Prillin, në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, përtej qeverisë e opozitës.

“Kemi një ndryshim qëndrimi nga ana e opozitës, por nuk është hera e parë. Shpresoj t’i rikthehen rrugës së arsyes. 17 prilli është një moment i rëndësishëm jo për qeverinë Rama, jo për opozitën por për Shqipërinë. Ne besojmë se meritojmë që Komisioni Europian të propozojë nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE që do të ishte një sukses për Shqipërinë dhe shqiptarët”, nënvizoi Bushati.

Ministri tha se “ne presim që Komisioni Europian në 17 prill të konfirmojë pikërisht reformat që janë bërë në Shqipëri dhe të propozojë nisjen e bisedimeve dhe më pas do të jetë një punë tjetër voluminoze me vendet anëtare të BE, siç dihet nevojitet konsensus i plotë në mënyrë që të nisë procesi i vështirë, sfidues për anëtarësim që nuk do të jetë aspak një proces i lehtë”./a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakARKEOLOGJI – 50 piktura gjigante zbulohen në një shkretëtirë peruane
Artikulli tjetërGJERMANI – Katër të vdekur, pas hyrjes në turmë të një kamionçine