Ballina Bota

SHBA – Trump ngrin fondet e destinuara për rindërtimin e Sirisë

UASHINGTON, 31 mars /ATSH-AFP/ – Shtëpia e Bardhë urdhëroi ngrirjen e më shumë se 200 milionë dollarëve nga fondet e destinuara për rindërtimin e Sirisë, konfirmoi sot e përditshmja “Wall Street Journal”, pas deklaratave të Donald Trump, sipas të cilave amerikanët do të largoheshin shumë shpejt nga ky vend.

Sipas të përditshmes, presidenti amerikan kishte udhëzuar Departamentin amerikan të Shtetit për ngrirjen e fondeve pasi ka lexuar një artikull që shpjegonte se SHBA-ja kishte premtuar fonde për rindërtimin e Sirisë, shkatërruar nga një luftë civile që zgjat që prej shtatë vitesh.

Gjatë një fjalimi, të enjten në Ohajo, Trump kishte konfirmuar se amerikanët do të largoheshin nga Siria shumë shpejt, që prej momentit që xhihadistët e grupit të Shtetit Islamik do të munden plotësisht.

Ish-sekretrari amerikan i Shtetit, Reks Tillerson ishte zotuar për këtë fond gjatë një takimi që zhvilloi në Kuvajt me përfaqësues të koalicionit ndërkombëtar që lufton Shtetin Islamik./
/ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProtesta e dhunshme në “Rrugën e Kombit”, Marku urdhëron nisjen e hetimit
Artikulli tjetërKORE E VERIUT – Takim mes Kim Jong Un dhe presidentit të KON-it