Ballina Kosova

Thaçi shpall heronj gjashtë dëshmorë nga komuna e Gjakovës

PRISHTINË, 29 mars/ATSH/.- Me dekret të presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, sot janë shpallur heronj gjashtë dëshmorë të kombit nga komuna e Gjakovës, të cilët kanë rënë heroikisht gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Emrat e heronjve të shpallur janë: Përmet Vula, Elton Zherka, Ilir Soba, Sadedin Shehu, Bujar Roka dhe Hamëz Zymberi.

Në një ceremoni të mbajtur me këtë rast, ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, ndërsa në emër të presidentit Thaçi, ndarjen e dekreteve dhe pllakateve me titullin e heroit të kombit e ka ndarë këshilltari i tij Veli Bytyqi.

Kryetari Gjini tha se vendimi i presidentit Thaçi, për shpalljen heronj të dëshmorëve nga Gjakova, ndonëse është i vonuar, është vendim që megjithatë mirëpritet si nga familjarët e dëshmorëve, bashkëluftëtarët e tyre ashtu edhe nga institucionet lokale.

Ai ka shtuar se me këtë akt, po bëhet vlerësimi real për kontributin që Gjakova dhe banorët e Gjakovës e kanë dhënë në luftën për liri.

Në këtë aktivitet ka folur edhe ish – komandanti i brigadës 137 “Gjakova” Agon Kryeziu, i cili ka thënë se ky është një nderim plotësisht i merituar që u bëhet heronjve të Gjakovës./KosovaPress/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTarifa në Rrugën e Kombit, e ka zanafillën në 2010
Artikulli tjetërHaradinaj kërkon nga Greqia njohjen e pavarësisë së Kosovës