PRISHTINË, 28 mars/ATSH/.- Departamenti amerikan i Shtetit ka dënuar ngjarjet e ndodhura në veri të Kosovës, pas arrestimit të shefit të zyrës për Kosovën në Mitrovicë, Marko Gjuriç.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm ngjarjet në Mitrovicë, të cilat në mënyrë të panevojshme rrisin tensionet dhe kërcënojnë stabilitetin rajonal. Ne iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe të veprojnë me qetësi si dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore”, thuhet në deklaratën për shtyp të DASH.
Departamenti amerikan i Shtetit shprehet se “për të krijuar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen në normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut të udhëhequr nga BE”.
“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin të gjitha palët në bisedimet e dialogut”, përfundon deklarata e DASH./k.s/






















