Ballina Kosova

Haradinaj kujton 19 vjetorin e masakrës së Izbicës

PRISHTINË, 28 mars/ATSH/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot 19 vjetorin e masakrës në Izbicë, ku u vranë 147 shqiptarë nga forcat serbe.

Haradinaj tha se “masakra në Izbicë është dëshmi e një historie të dhimbshme në Kosovë, të vrasjeve dhe dhunës, por njëkohësisht një përpjekje e pa ndalur dhe këmbëngulëse e popullit të Kosovës për liri”.

“Izbica, 19 vjet më parë tronditi gjithë botën, por na dha forcën për t’u ngritur mbi dhimbjen, që rrugën tonë drejt lirisë ta jetësojmë me amanetin e të rënëve. Në Izbicë u vranë qytetarët tanë të Leqinës, Kostërcit e të Burojës, të Kllodernicës, Padalishtes, Morinës dhe Ujmirit, të Kërrnicës dhe fshatrave tjera të Komunës së Skënderajt. Kjo masakër mobilizoi gjithë botën demokratike për të ndalur dhunën dhe vrasjet dhe për t’i dhënë krah popullit të Kosovës në luftën e tij të drejtë për liri dhe pavarësi”, theksoi Haradinaj.

Po ashtu, kreu i qeverisë përkujtoi dëshmorët Elez Geci dhe Maxhun Berisha të rënë tek Kryqi i Pozharit në Deçan.

Kryeministri Haradinaj, tha se “Kosova sot është shtet i konsoliduar, demokratik e i lirë dhe në rrugën e tij drejt bashkimit me familjen evropiane dhe anëtarësim në NATO e OKB”./k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDASH: Kosova dhe Serbia, normalizim të marrëdhënieve përmes dialogut
Artikulli tjetërBRAZIL – Sulmohet me armë zjarri eskorta e ish-presidentit Lula