PRISHTINË, 23 Mars /ATSH/.- Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, priti në një takim ambasadorin britanik të ngarkuar me organizimin e Samitit të Londrës, Andrew Page, të cilin e njohu me përpjekjet për të zgjidhur problemin e lëvizjes së lirë të qytetarëve midis Kosovës dhe Bosnjës.
Page në takim prezantoi prioritetet e Presidencës Britanike të Procesit të Berlinit, në planin ekonomik, të çështjeve politike dypalëshe me fokus krimet e luftës dhe personat e zhdukur, si dhe sigurisë.
Diplomati britanik e njohu Pacollin me iniciativën britanike për personat e zhdukur, që do të drejtohet nga Princi i Uellsit, i përfshirë që më herët në këtë problem.
Ministri Pacolli prezantoi idenë e tij për një Zonë të Lirë Ekonomike ndërkufitare midis Veriut të Kosovës si një i tërë, me Jugun e Serbisë, zona të mbetura peng i problematikës midis dy vendeve, ndonëse zona me potencial të lartë zhvillimor.
Ai kërkoi ndihmën britanike për shkolla të arsimit profesional, për teknologjinë dixhitale, për t’i dhënë rinisë shpresën e humbur.
“Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit, ka krijuar energji të re rinore dhe ne duhet ta kanalizojmë këtë energji drejt zhvillimit”, tha Pacolli.
Samiti i Londrës është aktivitet në kuadër të Procesit të Berlinit, iniciativë e Kancelares Merkel, i cili i njeh dhe Britanisë së Madhe një rol të rëndësishëm në inkurajimin e bashkëpunimit të gjithanshëm midis 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor./KosovaPress/k.s/























