TIRANË, 16 Mars/ATSH/ – Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po vijon në shkallë vendi trajnimin për biznesin e vogël që do të përfshihet për herë të parë në skemën e TVSH-së.
Gjatë 2 javëve të para të muajit mars administrata tatimore zhvilloi trajnime në drejtoritë rajonale të Tiranës, Shkodrës dhe Dibrës.
Sipas një njoftimi për shtyp të DPT-së, në dy javët e para, numri total i pjesëmarrësve në këto trajnime, u llogarit në më shumë se 230, të cilët përfaqësojnë rreth 700 subjekte.
Pjesëmarrësit u njohën në mënyrë të detajuar me procedurën që duhet të ndjekin në përmbushje të detyrimeve ligjore, konceptet e përgjithshme të TVSH-së, plotësimin dhe afatet e deklarimit të TVSH-së, librave të shitjes dhe blerjes, plotësimin dhe deklarimin e tyre, plotësimin e një fature tatimore etj.
Gjithashtu në rang vendi, janë duke u zhvilluar vizita të dedikuara nga punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesit pranë subjekteve që do të përfshihen në këtë skemë. Deri tani në total janë realizuar 570 vizita në terren.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes një pune paraprake ka trajnuar dhe angazhuar ekspertët e saj më të mirë në të gjithë vendin, me synim ofrimin e asistencës dhe informimin sa më të gjerë të të gjithë sipërmarrësve, që do të përfshihen për herë të parë në skemën e TVSH-së.
Kalendari i trajnimeve që do të shtrihet deri në fund të muajit qershor është konceptuar për t’u ardhur në ndihmë të gjithë bizneseve të vogla, sipas shtrirjes së tyre gjeografike.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është e gatshme dhe ka të gjithë kapacitetet për të shtuar numrin e trajnimeve nëse kjo do të jetë e nevojshme.
Në total janë parashikuar rreth 100 sesione trajnimesh, si dhe rreth 10 mijë vizita këshilluese në adresën e biznesit. Për t’i ardhur në ndihmë të gjithë subjekteve janë ngritur 13 Kënde të Asistencës të dedikuara për biznesin e vogël.
Çdo drejtori rajonale, përmes specialistëve të zyrës së Shërbimit të Tatimpaguesve do të bëjë të mundur shpërndarjen e fletëpalosjeve dhe materiale informative të posaçme për të gjithë biznesin e vogël që do të përfshihen në skemën e TVSH-së në të gjithë vendin.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nxit dhe inkurajon të gjithë të interesuarit që të bëhen pjesë e këtyre trajnimeve dhe të njihen me të gjitha procedurat ligjore dhe detyrimet.
/a.gjonaj/ /a.g/






















