Ballina Ekonomi

TVSH për biznesin e vogël, administrata tatimore nis trajnimin

TIRANE, 6 Mars/ATSH/- Bizneset e vogla të cilat do të përfshihen për herë të parë në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) po trajnohen nga strukturat e drejtorive rajonale tatimore për plotësimin e dokumentacionit.

Sipas ligjit “Për TVSH” kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar, i cili hyn në fuqi nga data 1 Prill 2018, është qarkullimi prej 2 milionë lekësh në një vit kalendarik.

Të gjithë bizneset që plotësojnë këtë kriter ligjor, përmes këtyre trajnimeve, do të mund të njihen hollësisht me procedurën që duhet të ndjekin në përmbushje të detyrimeve ligjore, konceptet e përgjithshme të TVSH-së, plotësimin dhe afatet e deklarimit të TVSH-së, librave të shitjes dhe blerjes, plotësimin dhe deklarimin e këtyre librave, plotësimi i një fature tatimore etj.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes një pune paraprake ka trajnuar dhe angazhuar ekspertët e saj më të mirë në të gjithë vendin, me synim ofrimin e asistencës dhe informimin sa më të gjerë të të gjithë sipërmarrësve, që do të përfshihen për herë të parë në skemën e TVSH-së.

Çdo subjekt i interesuar për të marrë pjesë në këto trajnime mund të kontaktojë paraprakisht punonjësin përkatës të administratës, përgjegjës për organizimin dhe mbarëvajtjen e trajnimit si dhe për të rezervuar pjesëmarrjen.

Këto trajnime do të vazhdojnë deri në fund të muajit qershor dhe do të shtrihen në të gjitha drejtoritë rajonale.
/a.gjonaj/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTURQI – Gjykata refuzon lirimin e dy ushtarakëve grekë
Artikulli tjetërDëmet e duhanpirjes